MAKTHI I “PESHKAQENEVE”/ Rikthehet Nesti Angoni! Denoncuesi anonim që “fundosi” Erion Veliajn, “i qep” akuzën për pastrim parash deputetes së Berishës 

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi është denoncuar në Prokurorinë e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ky denoncim është depozituar nga anonimi “Nesti Angoni” në ditët e para të shtatorit dhe e akuzon deputeten demokrate për korrupsion dhe pastrimin e parave të fituara nga veprimtari të jashtëligjshme.

Në denoncimin e siguruar nga Report Tv, thuhet se kallëzimi me objekt deputeten Vokshi, bashkëjetuesin e saj Arian Tartarin, si dhe motrën Mimoza Vokshi, përmban disa raste të dyshuara korrupsioni dhe gjithashtu skemën, e cila përdorej për të “pastruar” paratë e fituara nëpërmjet veprimtarive korruptive të kryera nga ligjvënësja demokrate dhe familjarët e saj.

“Nesti Angoni” pretendon se deputetja demokrate është përfshirë në abuzime me koncesionet në sektorin e naftës, por edhe me disa privatizime të kryera në interes të të kallëzuarve, në kohën kur Drejtoreshë e Privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë ishte Mimoza Vokshi, motra e deputetes demokrate.

Kujtojmë se Nesti Angoni nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar. Denoncimi i tij “fundosi” edhe qytetarin e parë të Tiranës, Erion Veliajn, i cili pas kallëzimit të personazhit anonim u arrestua dhe prej shkurtit po qëndron në ambientet e paraburgimit në Durrës.

Në dhjetor të vitit të kaluar vetë Veliaj tha se Angoni nuk ekziston dhe se denoncimet ndaj tij ishin një “kurth i sajuar” me qëllime politike.

“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, i cili nuk ekziston, për të na kthyer mallin e letrave anonime. Unë e kuptoj se disa njerez, që nuk na mundin dot në betejë, që nuk na mundin dot në zgjedhje, janë kthyer në zanatin e letrave anonime.

Nesti Angoni nuk ekziston, por të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson, çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil. Megjithatë, pavarësisht se kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi se është një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues”, u shpreh Veliaj një vit më parë.