INTERVISTA E RAMES/ Kryeministri në radion britanike: Akuzat ndaj shqiptarëve, pjesë e mozaikut të gënjeshtrave

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për radion britanike “Times Radio”, ku i ka përshkruar deklaratat e politikanëve britanikë në lidhje me numrin e të burgosurve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar si një “mozaik gënjeshtrash”.

Rama tha se e gjithë situata u përdor për të promovuar Brexit-in, ndërsa e quajti “marrëzi” pretendimin e Nigel Farage se “1 në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg”.

“Ka shumë absurditet në të gjithë këtë, sepse nuk ka një numër të madh të burgosurish shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar që dallohen disi nga numri i përgjithshëm i të burgosurve në Britani dhe nga kombësitë e tjera të tyre. Pra, është një pjesë e vogël e mozaikut më të madh të gënjeshtrave dhe argumenteve vetëmashtruese që u përdorën për të bindur popullin britanik të largohej nga Bashkimi Evropian. Ku dreqin do t’i gjeni njerëzit që do t’ju ndërtojnë shtëpitë, do t’ju shërbejnë kafen, do t’ju shërbejnë si shoferë taksish, si shoferë kamionësh, e kështu me radhë?”, tha Rama.

Rama theksoi se shumë sektorë të rëndësishëm në Mbretërinë e Bashkuar do të kishin vështirësi serioze për të funksionuar pa punën e emigrantëve shqiptarë.

“Ku do t’i gjeni njerëzit për të ndërtuar shtëpitë tuaja, për t’ju shërbyer kafen, për të drejtuar taksitë dhe kamionët tuaj?”, shtoi kryeministri i Shqipërisë.

Ai përsëriti ftesën publike drejtuar Nigel Farage për të vizituar Shqipërinë dhe për të parë nga afër realitetin e vendit:

“Ai ka thënë se do të vijë për një vizitë, dhe unë do të jem shumë i lumtur ta takoj. Është një mundësi e mirë për të njohur nga afër një njeri me shumë talent e inteligjencë, pavarësisht nga teatraliteti i tij politik, dhe për t’i treguar bukuritë e Shqipërisë. Mbase e bindim ta zgjedhë Shqipërinë si destinacion për pushimet e tij”, tha Rama.

Kujtojmë që mes Ramës dhe Farage kishte shkëmbim replikash në distancë gjatë muajve të verës, pikërisht për çështjen e emigrantëve shqiptarë në burgjet britanike.