Max Verstapen fitoi sot Çmimin e Madh të Italisë në pistën e famshme në Monza, duke mbyllur një fundjavë perfekte ku kishte dominuar plotësisht me kohën e tij edhe në kualifikuese.
I nisur nga pole-position, holandezi i Red Bull dueloi vetëm pak xhiro me makinat MekLaren që kishte më pas.
Por që nga momenti kur rifitoi vendin e parë, ishte i pandalshëm dhe krijoi një distancë sigurie të pakapshme në fundin e garës.
Pas tij, kishte duel në distancë mes Norris dhe Piastri, të cilët janë rivalë brenda skuadrës për titullin kampion.
Norris ishte në avantazh dhe në fund duhej të ndërronte gomat për të synuar arritjen e Verstapen.
Por një vonesë e mekanikëve bëri që ai të dilte pas Piastrit.
Ky i fundit, edhe pse humbte pikë që do thellonin kryesimin në Botëror, pranoi urdhrin e skuadrës dhe ia lëshoi vendin e dytë, duke u kënaqur me të tretin.
Leclerce doli i katërti, i ndjekur nga Rusell, Hamilton, Albon, Bortoleto, Antoneli dhe Haxhar të cilët plotësuan zonën e pikëve në këtë garë.









