MESAZHI/ “SHKATËRROJMË GRUPET KRIMINALE!” – paralajmëron Rubio nga Ekuadori: Trump, luftë trafikut ndërkombëtar

SHBA është gati të shkatërrojë grupet kriminale të huaja, deklaroi Sekretari i Shtetit Marco Rubio gjatë vizitës në Ekuador. Ai theksoi se Uashingtoni do të veprojë edhe me sulme të drejtpërdrejta, ndërsa tha se SHBA pret që qeveritë mike të ndihmojnë në identifikimin e “narko-terroristëve” sicc i cilëson Trump.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të “shkatërrojë” grupet kriminale të huaja nëse është e nevojshme, ndoshta edhe në bashkëpunim me vende të tjera.

“Ata do të na ndihmojnë t’i gjejmë këta njerëz dhe t’i shkatërrojmë, nëse kjo është ajo që duhet,” deklaroi Rubio gjatë një vizite në Ekuador.

Ai gjithashtu njoftoi se SHBA shpalli dy nga bandat më të mëdha kriminale të Ekuadorit, Los Lobos dhe Los Choneros, si organizata terroriste të huaja, në zbatim të  një udhëzimi të persidentit Donald Trump.

Mesazhi i Sekretarit Amerikan të shtetit vjen pak ditë pasi forcat amerikane kryen një sulm ndaj një anijeje në Detin e Karaibeve, ku sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë u vranë 11 narkoterroristë sic I cilëson ai trafikantët e drogës.

I pyetur nëse kontrabandistët që vijnë nga vende aleate të SHBA-së, si Meksika dhe Ekuadori, mund të përballen me “ekzekutim të njëanshëm” nga forcat amerikane, Rubio tha se “qeveritë bashkëpunuese” do të ndihmonin në identifikimin e tyre.

“Presidenti ka thënë se dëshiron t’i shpallë luftë këtyre grupeve sepse ata na kanë shpallur luftë prej 30 vitesh dhe askush nuk ka reaguar. Por nuk ka nevojë ta bëjmë këtë në shumë raste me qeveritë mike, sepse ato do të na ndihmojnë” tha Rubio.

Presidenti Donald Trump tha se operacioni ushtarak në Karaibe, nga forcat e vendosura atje  kishte si shënjestër anëtarë të bandës venezueliane Tren de Aragua, të cilët po transportonin narkotikë drejt SHBA-së.

Të enjten vonë, Departamenti i Mbrojtjes akuzoi se dy avionë ushtarakë venezuelianë kishin fluturuar pranë një anijeje amerikane në një “veprim që e cilësoi tepër provokues për të penguar operacionet kundër narco-terrorizmit”.

Rubio ndërkohë njoftoi se Uashingtoni do të japë 13.5 milionë dollarë ndihmë sigurie dhe 6 milionë dollarë teknologji dronësh për të ndihmuar Ekuadorin në luftën kundër trafikut të drogës.

Dhuna në Ekuador është rritur ndjeshëm vitet e fundit ndërsa bandat kriminale luftojnë për kontrollin e rrugëve fitimprurëse të kokainës.

Sipas të dhënave qeveritare, rreth 70% e kokainës botërore kalon tani përmes Ekuadorit, në tranzit nga vendet prodhuese fqinje si Kolumbia dhe Peruja, drejt tregjeve në SHBA, Europë dhe Azi.