Loti i fundit i rrugës Qukës – Qafë Plloçë, me gjatësi 9.3 km, ka përfunduar dhe sot është bërë inagurimi i këtij segmenti të rëndësishëm për juglindjen, pas më shumë se 10 vitesh punime. Tashmë, rruga është e aksesueshme për të gjitha mjetet.
Rruga që pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit drejt juglindjes së vendit është një prej projekteve infrastrukturore, që ka kërkuar shumë vite për t’u përfunduar. Aksi u projektua në vitin 2009, teksa kredia e parë për financimin e kësaj vepre u firmos në shkurt të vitit 2013.
Huaja midis Ministrisë së Financave në emër të Qeverisë Shqiptare dhe dy institucioneve financiare, Bankës Islamike për Zhvillim dhe Fondi Saudit për Zhvillim, kapte një vlerë totale prej 150 milionë dollarë.
Punimet për ndërtimin nisën zyrtarisht në korrik të vitit 2015, ndërsa parashikimi ishte që rruga të përfundonte në 2019-ën.
Por në shtator të vitit 2020, u deklarua se nevojiteshin edhe 105.8 milionë USD, prej të cilëve 56.8 milionë USD për lotin I dhe II dhe 49 milionë USD për lotin III. Nevoja për fonde shtesë u argumentua me problemet e trashëguara të projektit.
Kreditë u miratuan në vitin 2022, ndërkohë që për përfundimin e plotë ARRSH lidhi edhe një kontratë me vlerë rreth 3 milionë euro për lotin I. Në dokumentet e tenderit të asaj kohe thuhej se për shkak të rrëshqitjeve masive rruga u dëmtua rëndë dhe mbeti pa sinjalistikë e elemente sigurie.
Aksi rrugor Qukës – Qafë Plloçë ka një gjatësi totale prej 43.8 km dhe do të jetë një rrugë e kategorisë C1 ku shpejtësia e lejuar do të jetë 80 – 90 km/orë.









