INTERVISTA/ Qeveria e Kosovës përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj – Anu Prattipati: Duhet përfaqësim i barabartë për serbët në jetën politike.

“Çdo ndryshim që prek serbët në Kosovë duhet të zbatohet në konsultim me komunitetin serb”.

E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta dhe të marrin pjesë plotësisht në jetën politike.

Prattipati, në një intervistë me një grup mediatik në gjuhën serbe, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj dhe se Kushtetuta dhe ligjet garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Kur nuk je në tryezë, të tjerët marrin vendime për ty. Pjesëmarrja siguron rolin tënd në formësimin e së ardhmes”, tha Prattipati, duke shtuar se “çdo ndryshim që prek serbët në Kosovë duhet të zbatohet në konsultim me komunitetin serb”.

“Nuk ka alternativë tjetër për këtë, dhe nuk mund të ketë proces të njëanshëm”.

Ndër të tjera, Prattipati u shpreh se gjatë gjithë kohës ka shprehur vazhdimisht shqetësime lidhur me mbylljen e institucioneve paralele pa koordinim me komunitetet e prekura.

“Ky nuk mund të jetë një proces i njëanshëm. Varet nga komuniteti serb i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të cilët duhet të punojnë së bashku, me një theks të veçantë në sigurimin që institucionet të ruajnë ose përmirësojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve”.

Në muajin prill, Policia e Kosovës kishte mbyllur disa institucione paralele të Serbisë në Komunën e Shtërpcës dhe në atë të Leposaviçit.

Fondi i Pensioneve dhe Invaliditetit (Fondi PIO), Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Fondin Republikan për Sigurime Shëndetësore në Leposaviq, si dhe Ndërmarrjes Publike Komunale në Shtërpcë ishin institucionet të cilat u mbyllën.

Ambasadorët e QUINT-it vazhdimisht kishin shprehur shqetësim për veprimet e njëanshme të Qeverisë e cila në katër vitet e fundit është udhëhequr nga kryeministri që aktualisht vazhdon të jetë në detyrë, Albin Kurti.