Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet të zhvillojë një takim të rëndësishëm në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Dumani do të takohet me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike (EUR) në Departamentin e Shtetit.
Takimi kokë më kokë i Dumanit me zyrtarin e lartë të DASH është konfirmuar nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në agjendën e zbardhur ditore.
Takimi në ambjentet e DASH do zhvillohet me dyer të mbyllura dhe pas saj nuk pritet konferencë për mediat.
Kjo vizitë sfumon çdo sulm të bërë ndaj kreut te SPAK, prej Sali Berishës dhe opozitës së tij, të cilët e kanë etiketuar z.Dumani si vegël të kryeministrit Rama dhe bandave kriminale në vend.

Kush është Brendan Hanrahan?
Brendan Hanrahan është zyrtari i lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike (EUR). Para se t’i bashkohej Departamentit të Shtetit, z. Hanrahan ka qenë investitor në kompaninë Bain Capital, në ekipin e kapitalit privat për Amerikën e Veriut, ku ka udhëhequr marrëveshje dhe ka bashkëpunuar me kompani në sektorët e shërbimeve për konsumatorët dhe bizneset.
Më herët, ai ka punuar si këshilltar për politika pranë Komitetit të Senatit për Biznesin e Vogël dhe Sipërmarrjen, në kohën kur ky komitet drejtohej nga senatori Marco Rubio. Karrierën e tij e ka nisur në McKinsey & Company, ku ka mbështetur klientë nga sektori publik dhe ai privat.
Z. Hanrahan është diplomuar në Harvard College (në nivelin Bachelor – A.B.) dhe mban një diplomë MBA nga Stanford Graduate School of Business.









