MASA “SHTRENGUESE”/ Viti i ri shkollor nis me ndalim të telefonave në klasë – çfarë masash parashikohen

Ky vit i ri shkollor nis me rregulla më strikte për përdorimin e telefonave. Nxënësit duhet t’i dorëzojnë aparatet te mësuesit kujdestarë përpara fillimit të mësimit.

Nëse kapen duke i përdorur gjatë orës, do të përballen me masa ndëshkuese, deri në penalizim nga mësimi.

Ndëshkimet janë të ndara sipas shkallës së shkeljes. Shkelja e parë parashikon vërejtje për nxënësin dhe njoftim të prindërve.

Në rastin e dytë, telefoni mbahet për një periudhë të caktuar. Ndërsa në rast përsëritjeje, masat mund të shkojnë nga ulja e notës së sjelljes deri te pezullimi i përkohshëm nga mësimi.

“Mendoj se pasja e telefonit gjatë orës së mësimit sjell probleme, jo vetëm për mësuesit që e kanë të vështirë të mbajnë nxënësit të përqendruar, por shpërqendron edhe të tjerët në klasë. Edhe më parë ka qenë e ndaluar, por nuk ka dhënë rezultat. Do të ishte më mirë të gjendeshin metoda të tjera, sepse nuk besoj se kjo do të funksionojë,” – thotë Nevruz Kaptelli nga Sindikata e Pavarur e Arsimit.

Ligji i ri prek nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve. Përjashtim bëjnë vetëm ata që kanë probleme shëndetësore, rast në të cilin prindi njofton drejtorinë. Në këto raste, telefoni i fikur qëndron në shkollë dhe i dorëzohet nxënësit vetëm pas përfundimit të orarit.

Çdo klasë do të ketë një kuti të posaçme për ruajtjen e celularëve.

Edhe për mësuesit dhe drejtuesit e shkollave janë parashikuar ndëshkime, nëse nuk zbatojnë udhëzimin e ri.