Kryeministri indian Narendra Modi zbarkoi këtë të diel në Kinë, me hijen e tarifave të reja amerikane që vazhdon të rëndojë mbi ekonominë e vendit të tij.
Që prej së mërkurës, produktet indiane drejt SHBA-së, përfshirë diamantet dhe karkalecat, përballen me tarifa deri në 50%, si një masë ndëshkuese nga presidenti amerikan Donald Trump, për shkak të vazhdimit të blerjeve të naftës ruse nga India.
Sipas ekspertëve, këto tarifa përbëjnë një goditje të fortë për sektorin e eksportit të Indisë, një ndër shtyllat e saj ekonomike, dhe mund të rrezikojnë objektivat ambicioze të rritjes së vendit.
Në të njëjtën kohë, Presidenti kinez Xi Jinping përpiqet të ringjallë ekonominë kineze, e cila po has vështirësi të mëdha, pjesërisht për shkak të tarifave të larta të vendosura nga SHBA.
Në këtë kontekst tensioni global, takimi mes dy liderëve të vendeve më të populluara në botë vjen si një mundësi për një rivendosje të marrëdhënieve dypalëshe, marrëdhënie që historikisht kanë qenë të ngarkuara me mosbesim dhe tensione kufitare, raporton BBC.









