Presidenti Donald Trump i ka kërkuar zyrtarisht Kongresit që të miratojë një shkurtim shtesë prej 4.9 miliardë dollarësh nga fondet e ndihmës ndërkombëtare një hap që mund të çojë në një bllokim të funksionimit të qeverisë federale në fund të shtatorit.
Sipas një komunikate nga Zyra e Buxhetit pranë Shtëpisë së Bardhë, propozimi përfshin shkurtimin e fondeve të destinuara për Departamentin e Shtetit, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar dhe disa programe të tjera të ndihmës jashtë vendit.
Në një letër drejtuar kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, zyra e Presidentit theksonte: “Presidenti Trump gjithmonë do ta vendosë interesin e Amerikës në plan të parë.”
Partia Demokrate ka reaguar me kritika të ashpra, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për të anuluar fondet që tashmë janë miratuar nga Kongresi do të shkatërrojë çdo mundësi për marrëveshje mbi buxhetin, duke rritur ndjeshëm rrezikun për një “mbyllje” të qeverisë federale pas 30 shtatorit.
Sipas raportimit të New York Post, rreth 3.2 miliardë dollarë nga shkurtesa e propozuar do të prekin fondet e dedikuara për Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump ka ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për të reduktuar ndihmën ndërkombëtare dhe tashmë ka vendosur që USAID të kalojë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Departamentit të Shtetit.









