ANTITRAFIKU/ SHBA dërgon tre “destrojerë” në Venezuelë për të goditur kartelet e drogës 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë tre destrojerë të pajisur me raketa “Aegis” pranë ujërave të Venezuelës – si pjesë e përpjekjeve të presidentit Donald Trump për të goditur kartelet e drogës në Amerikën Latine, sipas AP.

Destrojerët “USS Gravely”, “USS Jason Dunham” dhe “USS Sampson” pritet të mbërrijnë së shpejti, tha një zyrtar i planifikimit ushtarak amerikan.

Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes konfirmoi se këto mjete ushtarake janë dërguar në rajon për të mbështetur përpjekjet kundër narkotikëve. Ai tha se anijet do të qëndrojnë atje “për disa muaj”.

Vendosja e destrojerëve dhe e personelit amerikan në rajon  vjen ndërsa Trump ka nxitur përdorimin e ushtrisë për të penguar kartelet që ai i fajëson për rrjedhjen e fentanilit dhe drogave të tjera drejt SHBA-së dhe për dhunën në disa qytete amerikane.

Trump gjithashtu ka kërkuar nga presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, të bashkëpunojë më shumë për sigurinë, duke qenë më agresive kundër karteleve sesa paraardhësi i saj. Por Sheinbaum ka vendosur një vijë të qartë kur vjen puna te sovraniteti i Meksikës, duke refuzuar sugjerimet për ndërhyrje nga ushtria amerikane.

Në shkurt, Trump shpalli disa grupe kriminale, përfshirë  “Tren de Aragua” në Venezuelë, “MS-13” në El Salvador dhe gjashtë grupe me qendër në Meksikë si organizata të huaja terroriste.

Në fillim të këtij muaji, qeveria amerikane njoftoi rritjen e shpërblimit për arrestimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro në 50 milionë dollarë, duke e akuzuar atë si një nga trafikanët më të mëdhenj të narkotikëve në botë dhe për bashkëpunim me kartelet për të furnizuar SHBA-në me kokainë të përzier me fentanil.