Një letër-apel e nënshkruar nga 80 “rabinë ortodoksë modernë ndërkombëtarë” po merr gjithnjë e më shumë mbështetje. Dokumenti, me titull “Një apel për qartësi morale, përgjegjësi dhe një përgjigje hebreo-ortodokse përballë krizës humanitare në Gaza”, është nënshkruar edhe nga rabini David Rosen, ish-rabini kryesor i Irlandës dhe për më shumë se 30 vite drejtor ndërkombëtar për çështjet fetare në Komitetin Hebre Amerikan, me lidhje të forta dialogu me Vatikanin.
Një kopje e letrës është dërguar nga Rosen edhe në Vatikan, në zyrën për dialogun me hebraizmin. Në një deklaratë në faqen e tij zyrtare, Rosen shkruan: “Deklarata i bën thirrje shtetit të Izraelit të përballet me urinë e përhapur në Gaza dhe të denoncojë dhunën ekstremiste të kolonëve.”
Nisma është udhëhequr nga rabini Yosef Blau, ish-president i Religious Zionists of America dhe këshilltar shpirtëror prej kohësh në Seminarin Teologjik Rabbi Isaac Elchanan (RIETS) të Universitetit Yeshiva.
Duke shpjeguar motivet e tij, rabini Blau tha: “Mbështetja ime për Izraelin dhe sionizmin buron nga përkushtimi im ndaj hebraizmit. Një besnikëri pa kritikë bie ndesh me reflektimin e brendshëm, themelor të fesë hebraike. Kur feja përdoret për të justifikuar adhurimin e pushtetit, ajo shtrembëron moralin bazë.”
Megjithatë, firmëtarët theksojnë lidhjen e tyre të thellë me Izraelin, duke përshkruar hebrenjtë ortodoksë si “ndër mbështetësit më të devotshëm të Izraelit”.
Në një tjetër pasazh të letrës, të publikuar edhe nga Jewish Telegraphic Agency, thuhet: “Mëkatet dhe krimet e Hamasit nuk e përjashtojnë qeverinë izraelite nga detyrimi për të bërë çdo përpjekje për të parandaluar urinë masive.”
Ndër firmëtarët e tjerë janë rabini Pinchas Giller, si dhe rabinët kryesorë të Polonisë, Danimarkës dhe Norvegjisë, së bashku me rabinë të njohur nga kongregacione ortodokse në Los Angeles dhe Washington.









