Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i telefonoi liderit bjellorus, Aleksandr Lukashenko, vetëm disa orë para takimit me Vladimir Putinin javën e kaluar në Alaskë, duke i befasuar shumë vëzhgues dhe politikanë.
Trumpi shkroi në rrjetet sociale – duke e përshkruar Lukashenkon si “president shumë të respektuar” – se biseda e tij me të ishte përqendruar tek lirimi i 1.300 të burgosurve politikë.
Sipas Valer Kavaleuskit, kreut të një organizate në mërgim të quajtur Agjencia e Çështjeve Euro-Atlantike, theksi i Trumpit mbi të burgosurit politikë ishte thellësisht simbolik.
“Trump e vendosi çështjen humanitare, lirimin e të burgosurve politikë, në krye të mesazhit të tij”, tha Kavaleuski për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo thekson se negociatat humanitare janë të përshtatshme si për Minskun, ashtu edhe për Uashingtonin. Ato shmangin çështjet e vështira, si gjeopolitika apo lufta në Ukrainë, ndërkohë që duken bujare dhe të denja, sepse lidhen me jetën e njerëzve”, nënvizoi ai.
Për Lukashenkon, i kritikuar prej kohësh dhe i izoluar nga Perëndimi si diktator dhe aleat i ngushtë i Putinit, telefonata e Trumpit përfaqësonte një përparim diplomatik.









