TRAGJIKE/ Motori u përplas me makinën në Patos – shoferi ndërron jetë te Trauma – i riu, i apasionuar pas shpejtësisë (FOTO)

Gazment Gropa, një 30 vjeçar nga Patosi, ka ndërruar jetë sot në Spitalin e Traumës. Ai u aksidentua mesditën e djeshme në aksin Fier-Patos, teksa lëvizte me motor dhe fatkeqësisht nuk ju ka mbijetuar dot plagëve të marra.

Vdekja e Gazit, siç e njihnin të gjithë në Patos, ka tronditur familjen dhe komunitetin lokal. 30 vjeçari njihej në qytet për pasionin për shpejtësinë dhe adrenalinën që i jepte motori, i cili fatkeqësisht i mori dhe jetën.

FOTO/ Motori u përplas me makinën në Patos, shoferi ndërron

Nga aksidenti u plagosën rëndë edhe drejtuesi i automjetit, shtetasi A.A., si dhe pasagjerja E.A., të cilët po marrin trajtim në spital nën kujdes intensiv. Mjekët raportojnë se gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme, por kërkon ndjekje të vazhdueshme.

Grupi hetimor ka qenë në vendngjarje dhe ka kryer të gjitha veprimet përkatëse, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit po punohet për të gjetur shkakun e aksidentit dhe rrethanat e sakta të tij.

Nuk përjashtohet as mundësia e shkeljes së rregullave të qarkullimit, si shpejtësia tej normave në aksin Fier-Patos apo dhe një parakalim i gabuar.

FOTO/ Motori u përplas me makinën në Patos, shoferi ndërron

Policia ka marrë në pyetje dëshmitarë të rastit dhe po analizon kamerat e sigurisë pranë zonës për të rindërtuar skenën e aksidentit dhe për ta analizuar sjelljen e drejtuesit të motorit dhe shoferit të makinës, para përplasjes.

Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në këtë segment rrugor, i cili njihet për trafikun e dendur dhe hyrje-daljet e shumta të bizneseve.