Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur këtë të hënë në trafikun ajror europian. Një avion i kompanisë gjermane Condor, tip Boeing 757-330 (D-ABOK), që fluturonte nga Korfuzi (Greqi) drejt Dyseldorfit (Gjermani), është detyruar të bëjë një ulje emergjente në aeroportin e qytetit italian Brindisi, pas një defekti serioz në motor.
Sipas raportimeve, menjëherë pas ngritjes, motori i djathtë i avionit ka pësuar një problem të madh teknik, i shkaktuar dyshohet nga goditja me një tufë zogjsh. Dëshmitarët në tokë kanë treguar se kanë dëgjuar një zhurmë të fortë dhe kanë parë flakë të dukshme që dilnin nga motori i djathtë.
Në bord ndodheshin 273 pasagjerë, të cilët përjetuan momente ankthi, por piloti vendosi menjëherë të devijonte fluturimin dhe bëri një ulje emergjente në Brindisi.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa autoritetet italiane po hetojnë incidentin për të konfirmuar shkakun e saktë. Ndërkohë, pasagjerët janë sistemuar dhe pritet të vazhdojnë udhëtimin drejt Dyseldorfit me avion tjetër të kompanisë.
Ky incident ka ngjallur interes të madh, duke rikthyer vëmendjen te rreziku i goditjeve me zogj, një problem i njohur për aviacionin civil, që mbetet një nga faktorët kryesorë të uljeve emergjente









