VIDEO-LAJM/ Trump: Së shpejti takimi me Putinin! Jemi afër marrëveshjes për Ukrainën me shkëmbim territoresh

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është optimist për një takim të afërt me presidentin rus Vladimir Putin. Gjatë një takimi me liderët e Azerbajxhanit dhe Armenisë, Trump u shpreh se takimi me Putinin do të ndodhë “shumë shpejt”.

“Do të takohem shumë shpejt me presidentin Putin,” tha Trump, duke shtuar se takimi mund të kishte ndodhur edhe më herët, por ekzistojnë disa çështje sigurie që duhet të zgjidhen. “Edhe ai dëshiron shumë të takohet me mua,” shtoi ai.

Trump nuk dha një datë apo vend konkret për takimin, por tha se do të bëjë një njoftim zyrtar më vonë gjatë ditës.

Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se janë shumë pranë një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë, që do të përfshijë një shkëmbim territoresh.

“Po flasim për territore për të cilat po luftohet prej më shumë se 3 vitesh. Shumë rusë dhe shumë ukrainas kanë humbur jetën. Po shqyrtojmë mundësinë e rikuperimit të disa territoreve dhe një shkëmbimi. Është një çështje shumë e ndërlikuar, por po lëvizim drejt një zgjidhjeje që do të jetë në interes të të dyja palëve,” deklaroi Trump.

Deklaratat u bënë gjatë një takimi me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan.