SPAK ka ushtruar kontroll në ambientet e “Klajdi Resort”, në kuadër të kuadër të operacionit për trafikun e 17 tonëve kokainë. Bëhet me dije se gjatë operacionit, hetuesit kanë sekuestruar telefonin celular të pronarit të resortit, Orman Kokoshi, si pjesë e provave që po grumbullohen në vijim të hetimeve.
Ky veprim vjen pas goditjes së organizatës shqiptare që tregtone kokainë në vendet e Europës. SPAK ka lëshuar 16 masa sigurie në këtë operacion, ku janë përfshirë figura të njohura në trafikun e drogës, si vëllezërit Çela apo Franc Çopja, dhe pastrimin e parave, përfshirë dhe persona me investime të mëdha në Shqipëri.
Sipas njoftimit të SPAK nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumë-tonëshe kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun dhe Anvers. Në njoftimin e SPAK thuhet se kjo organizatë kriminale operonte në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.









