AKSIDENT/ Disa makina përplasen në autostradën Lushnjë-Fier, radhë kilometrike tek “Pushimi i shoferit”

Radhë kilometrike në autostradën Lushnje-Fier në kryqëzimin e pushimit të shoferit.

Për shkak të një përplasjeje të disa mjeteve në afërsi të kryqëzimit, radhët e trafikut janë tepër të gjata.

Ky është rasti i katërt që nga fillimi i javës dhe aksidentet me dëme materiale krijojnë konfuzion në trafik.

Policia e qarkullimit rrugor me forca shtesë ka bllokuar kalimin e mjeteve në autostradë drejt Këmishtajt dhe Krutjes në mënyrë që të çlirohet autostrada nga radhët e krijuara.

Përveç kësaj mase provizore, grupi i punës po dokumenton dhe aksidentin e krijuar, ku disa makina janë përplasur dhe kanë dëme materiale.

Fluksi i mjeteve që përshkojnë autostradën është tepër i lartë, pasi jemi në sezon veror dhe rruga drejt jugut të vendit është e mbingarkuar.

Disa pika të njohura ndryshe si pika të zeza në qarkullimin nëpër autostradë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të ulur numrin e aksidenteve dhe qarkullimin normal të mjeteve.