TELEFONATA/ Zelensky zbardh bashkëbisedimin me Trump: Ishte produktive

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ku diskutuan për sanksionet ndaj Rusisë dhe një marrëveshje SHBA-Ukrainë për dronë.

Ai tha se “Drafti i marrëveshjes për dronët është përgatitur tashmë nga pala ukrainase, ne jemi të gatshëm ta diskutojmë atë në detaje dhe ta përfundojmë atë. Është një nga marrëveshjet më të forta të imagjinueshme.”

Zelensky përshkroi bisedën me Trump si “produktive”, duke theksuar se tema kryesore ishte përpjekja për t’i dhënë fund luftës. Në postimin e tij në X, ai shprehu mirënjohje ndaj Trump “për të gjitha përpjekjet e tij për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”

Ai gjithashtu shtoi se “Presidenti Trump është plotësisht i informuar për sulmet ruse në Kiev dhe qytete e komunitete të tjera”. Në lidhje me sanksionet ndaj Moskës, Zelensky tha se “Ekonomia e tyre vazhdon të bjerë dhe pikërisht kjo është arsyeja pse Moska është kaq e ndjeshme ndaj kësaj perspektive dhe ndaj vendosmërisë së Presidentit Trump. Kjo mund të ndryshojë shumë.”

Në thelb, biseda fokusohej në përpjekjet për paqe dhe forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes SHBA-së dhe Ukrainës.