Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer në vëmendje mundësinë e vendosjes së tarifave të larta ndaj produkteve të Bashkimit Evropian, ndërsa shprehu optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Kinën brenda këtij viti.
Në një intervistë për rrjetin televiziv CNBC, Trump deklaroi se SHBA është e gatshme të vendosë tarifa deri në 35% ndaj produkteve evropiane, në rast se BE nuk respekton angazhimet e saj për investime në ekonominë amerikane.
“Atëherë do të paguajnë një tarifë 35%,” u përgjigj ai, kur u pyet se çfarë do të ndodhte nëse BE shkel marrëveshjet. Ai rikujtoi se tarifa të mëparshme ishin reduktuar pas investimeve të deklaruara prej 600 miliardë dollarësh të BE-së në SHBA.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur Uashingtoni po rrit presionin ndaj partnerëve tregtarë, duke kërkuar më shumë angazhime për të forcuar eksportet dhe investimet amerikane.
Megjithatë, më herët gjatë ditës, Brukseli njoftoi pezullimin e kundërmasave ndaj tarifave të vendosura nga Trump, pas një marrëveshjeje tregtare të re me SHBA.
Në të njëjtën intervistë, Trump shprehu besim të lartë për progresin në bisedimet tregtare me Kinën, duke theksuar se palët janë “shumë pranë” një marrëveshjeje dhe se mund të takohet me presidentin kinez Xi Jinping deri në fund të vitit.
“Jemi shumë afër një marrëveshjeje. Kemi marrëdhënie shumë të mira me Kinën,” tha Trump, duke shtuar se raporti i tij personal me presidentin Xi është “shumë i mirë”. Ai gjithashtu bëri të ditur se nuk ka kërkuar ende një takim zyrtar me të, por mbetet i hapur për një të tillë nëse arrihet marrëveshja.
Ndërkohë, Trump përsëriti kërcënimet për rritjen e tarifave doganore ndaj Indisë, duke e akuzuar këtë shtet se po blen “sasi të mëdha nafte nga Rusia”. Sipas tij, kjo do të sjellë vendosjen e tarifave të reja “brenda 24 orëve”.
“India nuk është një partner tregtar i mirë. Ata bëjnë shumë tregti me ne, por ne jo me ta. Kemi rënë dakord për 25%, por mendoj se do ta rris këtë ndjeshëm brenda 24 orëve për shkak të blerjeve të naftës ruse,” deklaroi Trump.









