“METAMORFOZA”/ Ekstradohet sot nga Dubai 37-vjeçari i shumëkërkuar – Denis Bajri u zbulua nga përgjimet e “SKY” me Ervis Martinajn; lidhja e tij me Pëllumb Gjokën 

Ekstradohet sot nga Dubai i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Denis Bajri (Brajoviç).

37-vjeçari Bajri është arrestuar në Shkurt 2024 në Emiratet e Bashkuara i shpallur në kërkim në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

Prokuroria e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, pasi emri i tij ka figuruar në përgjimet e aplikacionit SKY Ecc teksa komunikon me mbretin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj.

Denis Bajri akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

37-vjeçari akuzohet për vrasjen e Gjon Boriçit, anëtar i bandës së “Bajrit”, ngjarje e ndodhur më 9 Gusht 2020 në Shkodër. Udhërin për vrasjen e tij e kishte dhënë biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili kishte pajtuar për këtë punë Behar Bajrin dhe ky i fundit si ekzekutor kishte caktuar Denis Bajrin.

Nga përgjimet e Sky Ecc është zbuluar komunikimi ku Denis Bajri i shkruan Behar Bajrit “kryvi”, mesazh i cili i është dërguar menjëherë dhe Ervis Martianjt.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/Vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “The ëanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The ëanted”, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar D. B., 37 vjeç, shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.