ZJARR NE BILISHT/ Flakët përparojnë drejt Kapshticës – ndërhyrja me mjete zjarrfikëse, e pamundur 

Një riaktivizim masiv i vatrave të zjarrit ka përfshirë zonën mes Bilishtit dhe rrugës nacionale drejt doganës së Kapshticës. Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe tashmë duken qartë edhe në kodrat përreth qytetit të Bilishtit.

Sipas shtabit të emergjencave, vatrat janë aktivizuar sërish në orët e mbrëmjes, ndërsa situata është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të erës dhe terrenit të vështirë. Ndërhyrja është thuajse e pamundur.

Në terren, përgjatë rrugëve nacionale, një automjet zjarrfikës është detyruar të tërhiqet për shkak të rrezikut dhe kushteve të pafavorshme për ndërhyrje. Por, Perfektura thekson se zjarri nuk paraqet asnjë rrezikshmëri për pikën kufitare, pasi po mbahet nën monitorim.

Gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme, dhjetëra persona janë angazhuar në përpjekjet për shuarjen e flakëve, por terreni i vështirë, temperaturat e larta dhe era e fortë kanë bërë që zjarri jo vetëm të mos vihet nën kontroll, por të përhapet edhe më tej.