Ish-polici, Santiago Malko, u ekzekutua në një pritë mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në rrugën “Xhanfize Keko”. Lidhur me krimin u shpallën në kërkim 8 persona, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal…
SPAK ka paraqitur sot në GJKKO pretencën lidhur me vrasjen e ish-policit Santiago Malko, krim i ndodhur në vitin 2019 në Tiranë. Për këtë vrasje janë akuzuar anëtarë të klanit Duka, që drejtohej nga Leonard Duka, i njohur ndryshe si “Princi Damian”. Në total, SPAK ka kërkuar 157 vite burg për anëtarët e grupit që janë gjykuar për vrasjen e ish-policit, Malko.
Për Leonard Dukën, SPAK ka kërkuar dënimin me 32 vite burg. Të njëjtin dënim SPAK ka kërkuar edhe për Fatmir Hysenin, ndërkohë që për Erlis Dukën, vëllain e Leonardit, u kërkua dënimi me 25 vjet heqje lirie.
Ndërkohë për Oltian Logan dhe Dritan Agaj, SPAK ka kërkuar dënimin me 23 vjet heqje lirie, ndërsa për Aleksandër Manxhakun u kërkua dënimi me 22 vite burg.
Për vrasjen e ish-policit Malko Blendi Teta është dënuar me 25 vjet heqje lirie, ndërsa sipas SPAK ai ka njoftuar autorët për lëvizjen e viktimës.
Të pandehurit akuzohen për “Vrasje me paramendim”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Trafik narkotikësh”, vepra të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Dënimet e kërkuara nga SPAK
32 vite burg për Leonard Dukën
25 vite për Erlis Dukën
32 vite burg për Fatmir Hyseni
22 vite burg për Aleksandër Manxhakun
23 vite burg për Oltian Loga
23 vite burg për Dritan Agaj
Tensionet në seancë
Seancat ku janë gjykuar Leonard Duka dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të tij janë karakterizuar nga tensione dhe përplasje.
Në disa seanca Leonard Duka është përplasur me prokurorin e SPAK, Behar Dibra, të cilin e ka akuzuar për manipulime të dosjes.
Por gjithashtu tensione ka pasur edhe në rastet kur seancat janë ndjekur nga nëna e viktimës.
“Mesa mbaj mend, ditën e ngjarjes jam shoqëruar nga policia, më kanë marrë shenjat e gishtave, pastaj më lanë të lirë. Aty kam mësuar për ngjarjen. Kam qenë në lokalin tim deri në orën 10, pasi mbylla lokalin, po ikja për në shtëpi më ndaloi policia. Si çdo ditë me punët, kemi ngrënë një drekë me stafin dhe pastaj kam vazhduar rrjedhën.
Kam qenë me vëllain tim, Erlis Duka, më ka bërë shenjë policia dhe shkuam në polici. Policia bëri punën e vetë në mënyrën më njerëzore, asnjë kundërshtim me mënyrën si më shoqëruan, më kanë nxjerrë ditën tjetër. Unë s’e dija kush kishte vdekur, aty e mora vesh. Më pyetën, u thashë që nuk kam lidhje me ngjarjen, kam treguar për njohjen e vjetër miqësinë me të ndjerin. Pasi rregulluan letrat në mënyrë korruptive, më shpallën në kërkim. Mund të më thoni ju prokuror pse jam këtu, se unë nuk e di”, ka qenë një nga dëshmitë në sallën e gjyqit të Leonard Dukës.
Ai është pyetur se si e ka njohur viktimën, ndërsa është shprehur se “kanë pasur shoqëri të përbashkët”.
“Shqipëria e vogël është. Nuk kam pasur shoqëri të afërt me të. Jemi nga një zonë këtu në Tiranë. Unë jam marrë me lloto”, është shprehur Duka.
Kur ndodhi krimi
Ish-polici, Santiago Malko, u ekzekutua në një pritë mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në rrugën “Xhanfize Keko”. Lidhur me krimin u shpallën në kërkim 8 persona, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Viktima në atë kohë 26-vjeç u qëllua me breshëri nga xhami i pasëm i një Mercedes-Benz, që e ndiqte në rrugën e Porcelanit.
Autorët që ekzekutuan Santiago Malkon e ndoqën nga një distancë shumë e afërt makinën e tij në momentet para atentatit.
Kjo të paktën sipas videove të kamerave të sigurisë, që tregonin lëvizjen e të dy automjeteve pak sekonda para vrasjes së ish-policit Molko si edhe momentin e ekzekutimit të tij.
Malko lëvizjte me një BMË X5 ngjyrë e zezë në momentin kur ndaj tij u bë atentat, ndërsa makina e tij u qëllua me breshëri nga një Mercedes-Benz i zi i tip CSL.
Referuar publikimeve të kohës, njëri nga atentatorët ul xhamin e pasëm të makinës dhe qëllon me breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend.
Në atë kohë, Policia e Shtetit deklaronte se kishte shpallur në kërkim shtetasit Leonard Duka, Orion Loga, Dritan Agai, Erlis Duka, Ilir Selmani, Aleksander Maxhaku, Xhoni Nica, (të shtatë banues në Tiranë) dhe Fatmir Hyseni, (M.,) banues në Vlorë.
Ndaj tyre, fillimisht ishte Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, që vendosi masat e sigurisë “arrest me burg’ dhe më pas dosja kaloi në GJKKO dhe SPAK.
“Grupi hetimor gjatë veprimeve procedurale ka arritur të gjej dhe sekuestroj në cilësinë e provës materiale 8 automjete, mes tyre dhe automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre .
Grupi hetimor vijon me intensitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të, si dhe lokalizimin e kapjen e personave te mësipërm të cilët tashmë janë të shpallur në kërkim”, njoftonte Policia.









