Irani, Britania, Franca dhe Gjermania kanë rënë parimisht dakord të zhvillojnë bisedime mbi programin bërthamor të Teheranit, raportoi të shtunën agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim.
Ky zhvillim vjen pas paralajmërimeve nga ana e tre fuqive evropiane se nëse nuk rinisin negociatat për çështjen bërthamore, do të kërkohet rikthimi i sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit – një masë që ishte pezulluar në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
“Ka një marrëveshje parimore për mbajtjen e bisedimeve, por ende po diskutohen vendi dhe koha e zhvillimit të tyre,” raportoi Tasnim, duke cituar një burim të informuar mbi zhvillimet. Sipas agjencisë, vendi pritës për këto bisedime – që mund të zhvillohen javën e ardhshme – ende nuk është përcaktuar.
Tensionet mbi programin bërthamor të Iranit janë rritur ndjeshëm pas dështimit të disa raundeve negociatash të mëparshme, ndërkohë që fuqitë perëndimore kërkojnë transparencë dhe kufizime ndaj kapaciteteve bërthamore të Teheranit.









