Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pasi Apeli i GJKKO-së vendosi që të rrëzonte kërkesën e tij për ndryshim të masës së sigurisë, nga “arrest me burg” në një masë më të lehtë.
Në llogarinë e tij në “Facebook”, Meta fillimisht ka falenderuar avokatin e tij Kujtim Cakranin, ndërkohë që theksoi se vendimi i marrë këtë të enjte nga togat e zeza në Apelin e GJKKO-së ishte i pritshëm.
Duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK, Altin Dumanin se kanë intimiduar dëshmitarët dhe kanë fshehur prova në procesin hetimor ndaj tij, ish-presidenti i vendit thekson se sistemi gjyqësor është në përgjimin e vazhdueshëm të Prokurorisë së Posaçme.
“Nuk janë unë që intimidoj dëshimtarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshimtarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS”, shkruan Meta, duke u shprehur me tej besimplotë se këtë betejë me drejtësinë do ta fitojë dhe se shumë shpejt e vërteta sipas tij do tëa dalë në dritë.
“Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen.
Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë”, shkruan Meta ndër të tjera.









