Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka përgëzuar institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional pas zbulimit të kërcënimit me bombë në Kuvendin e Kosovës.
Në një postim në Facebook, Kurti u shpreh se konfirmimi se kërcënimi ka origjinën në Serbi, dëshmon përpjekjet për të zhvilluar “luftën aktive hibride” kundër Kosovës.
“Përgëzoj institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional. Konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se kërcënimi është bërë nga një numër telefoni i regjistruar në Serbi, konkretisht nga kompania telefonike MTS, dhe përdoruesi i tij është identifikuar si Lazar Zhivkoviq, shtetas serb.
Hetimet e para kanë zbuluar se në disa profile të lidhura me këtë numër është përdorur fotografia e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, duke e lidhur rastin me qarqe ekstremiste dhe anti-Kosovë.
Ndryshe, edhe Policia e Kosovës dje pas alarmit për mjet shpërthyes në objektin e Kuvendit të Kosovës bëri të ditur se kërcënimi ishte bërë përmes një thirrjeje telefonike që ka ardhur nga një numër me origjinë të dyshuar nga Serbia. /Telegrafi/
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Falbini2017%2Fposts%2Fpfbid0pShmQvmdNjn3sdhtFD7pvgtxQ43Gvxg2Xfu8LyM8ABw4XFvYCGMiUY685o9UuhAYl&width=500&show_text=true&height=354&appId









