LUFTA E TARIFAVE/ Shtëpia e Bardhë: SHBA-ja dhe Kanadaja rifillojnë negociatat tregtare

Uashingtoni zyrtar njoftoi se do të fillojë menjëherë negociata të reja tregtare me Kanadanë, pas vendimit të qeverisë kanadeze për të tërhequr një taksë mbi shërbimet digjitale që synonte kryesisht kompanitë amerikane të teknologjisë.

Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassett, konfirmoi rifillimin e bisedimeve në një intervistë me Fox News.

Ai tha se presidenti Donald Trump i kishte kërkuar personalisht Kanadasë të hiqte taksën gjatë samitit të G7 në Veriun e Kanadasë.

“Ata e studiuan, e pranuan dhe kjo sigurisht që do të thotë se mund të kthehemi në tryezën e negociatave”,- tha Hassett.

Trump tha të premten se po pezullonte bisedimet tregtare me Kanadanë, pasi qeveria e saj konfirmoi se po planifikonte të mbante në fuqi një taksë mbi shërbimet digjitale, pavarësisht marrëveshjes së fundit të G-7 mbi taksa të tilla. Presidenti shtoi në atë kohë se do të njoftonte brenda një jave një normë më të lartë tarifore për vendin fqinj.