Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i thërrasë liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vijim, për shkak të situatës me ngërçin politik.
Lajmi është bërë me dije nga Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidencës së Kosovës.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i thërrasë liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vijim”, ka konfirmuar ai për RTK.
Më tej Kupina ka bërë të ditur se presidentja Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata.
“Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, ka thënë ai.
Me 29 Qershor deputetët e zgjedhur dështuan për të 39 herë radhazi të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pasi nuk kanë arritur të pajtohen rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Në sallë kanë qenë 95 deputetë. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka akuzuar drejtuesin e seancës, Avni Dehari për abuzim me detyrën që ka, pasi ai i ka ftuar partitë që të propozojnë nga një anëtar për komisionin për votim të fshehtë.
Kjo ishte hera e 39-të që ata u mblodhën në sallën e Kuvendit prej 15 prillit, ndonëse të dielën vetëm e vazhduan seancën e 38-të të së premtes, në të cilën nuk kanë votuar.









