Administrata e Donald Trump ka vendosur të pezullojë një grup të posaçëm ndërinstitucional, i ngritur për të ndërtuar strategji presioni ndaj Rusisë me qëllim përshpejtimin e bisedimeve të paqes me Ukrainën.
Lajmi është konfirmuar nga tre zyrtarë amerikanë për mediat amerikane dhe sipas Reuters, grupi, i formuar gjatë pranverës, u bë joaktiv në muajin maj, pasi pjesëmarrësit kuptuan se presidenti Trump nuk kishte interes të ndërmerrte një qëndrim më konfrontues ndaj Moskës.
“U bë e qartë se presidenti nuk kishte ndërmend të përballej seriozisht me Rusinë. Në atë moment, grupi e humbi qëllimin e tij”, deklaroi njëri prej zyrtarëve të përfshirë në këtë proces.
Shkrirja e grupit, ekzistenca e të cilit nuk ishte bërë publike më parë, ka gjasa të shtojë shqetësimet tek aleatët europianë për tonin e moderuar që Trump ka mbajtur në disa raste ndaj Kremlinit, si edhe për hezitimin e tij për të shprehur mbështetje të plotë për Ukrainën.
Goditja përfundimtare për këtë njësi erdhi rreth tre javë më parë, kur pjesa më e madhe e anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë të gjithë ekipin që merrej me çështjen e luftës në Ukrainë, u shkarkuan gjatë një spastrim të gjerë, sipas burimeve zyrtare.
Zyrtarët sqarojnë se grupi ishte organizuar dhe drejtohej nga figura të larta të NSC-së, por përfshinte gjithashtu përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, Thesari, Pentagoni dhe komuniteti i inteligjencës. Mes emrave të përfshirë ishte edhe Andrew Peek, zyrtari kryesor i NSC-së për Europën dhe Rusinë, i cili u largua nga detyra në muajin maj.
Ky vendim vjen pas një tjetër zhvillimi të rëndësishëm: në muajin mars, disa agjenci të sigurisë kombëtare të SHBA-së pezulluan punën për një përpjekje të koordinuar ndaj operacioneve të sabotimit dhe dezinformimit nga Rusia, zhvillim që në atë kohë u raportua nga Reuters.
Megjithatë, një prej zyrtarëve thekson se vendimi për të mos vazhduar me grupin nuk do të thotë domosdoshmërisht që presidenti nuk mund të marrë masa më të ashpra ndaj Moskës në të ardhmen.
“Grupi u krijua për t’i ofruar presidentit opsione në rast se ai dëshironte të tregohej më i ashpër ndaj Rusisë. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk mund të marrë vetë një vendim të tillë”, deklaroi zyrtari.
Disa aleatë të Trump, përfshirë senatorin republikan Lindsey Graham, janë shprehur publikisht në favor të një raundi të ri sanksionesh të zgjeruara ndaj Moskës. Ata theksojnë se refuzimi i përsëritur i Kremlinit për propozimet amerikane për armëpushim, si edhe sulmet e vazhdueshme ruse ndaj objektivave jo-ushtarakë, janë tregues të qëndrimit të pandryshuar të Vladimir Putinit.
Vetë Trump ka deklaruar se po shqyrton masa të tilla, por ka vijuar të fajësojë të dyja palët për vazhdimin e konfliktit në Ukrainë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me këtë zhvillim, njësoj si Departamenti i Thesarit, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni. Po ashtu, ambasadat e Ukrainës dhe Rusisë në Uashington nuk kanë reaguar ndaj kërkesave për koment.









