AKSIDENT TRAGJIK/ Rrëzohet helikopteri me pelegrinë, shtatë persona humbin jetën (FOTO)

Një helikopter që transportonte pelegrinë hindu u rrëzua të dielën në orët e para të mëngjesit në shtetin verior indian të Uttarakhand, duke vrarë shtatë persona në bord. Helikopteri po fluturonte për në Guptkashi, një vend i shquar pelegrinazhi hindu në Himalaje, nga qyteti tempullor Kedarnath, kur u rrëzua. Aksidenti ndodhi pak minuta pasi helikopteri u ngrit. 

Nandan Singh Rajwar, një zyrtar lokal i menaxhimit të fatkeqësive, tha se autoritetet kanë nisur një operacion shpëtimi dhe kërkimi dhe pritet të rishikojnë protokollet operative për fluturimet në rajon. Helikopteri, i operuar nga Aryan Aviation, një kompani private shërbimi helikopterësh, u rrëzua në një zonë pyjore disa kilometra larg rrugës së pelegrinazhit Kedarnath rreth orës 5:30 të mëngjesit sipas orës lokale.

Zyrtarët thanë se rrëzimi besohet të jetë shkaktuar nga kushtet e këqija të motit. Kedarnath është shtëpia e njërit prej katër faltoreve më të shenjta të tempujve hindu dhe pret dhjetëra mijëra pelegrinë çdo vit gjatë sezonit të verës, shumë prej të cilëve përdorin shërbime helikopteri për shkak të terrenit të vështirë malor.

Zyrtarët thanë se të vdekurit përfshinin pilotin dhe pelegrinët nga shteti fqinj i Uttar Pradesh dhe shtetet perëndimore të Maharashtra dhe Gujarat. Trupat u dogjën rëndë në një zjarr që pasoi rrëzimin, thanë ata. Aksidentet me helikopterë nuk janë të rralla në rajonin e rrezikshëm të Kedarnath, ku ndryshimet e papritura të motit dhe kushtet e fluturimit në lartësi të madhe mund të paraqesin rreziqe.

Më 7 qershor, një helikopter që operonte në Luginën Kedarnath bëri një ulje emergjente në një autostradë për shkak të një defekti teknik menjëherë pas ngritjes. Piloti u plagos, por të pesë pasagjerët në bord mbetën të padëmtuar. Ndërsa më 8 maj, një helikopter u rrëzua në distriktin Uttarkashi, duke vrarë gjashtë persona, përfshirë pilotin dhe vetëm nji person mbijetoi.