PARASHIKIMI/ “Beteja që Trump ka pritur” – New York Times: Si Presidenti po e nxit krizën në Los Angeles, duke rritur profilin e tij si lider

Nuk ishte thjesht një reagim, ishte skenari që vetë Trump kishte pritur të zhvillohej. Një betejë shumë simbolike, në zemër të një shteti thellësisht demokrat (Kalifornia), në sfondin e çështjes më të nxehtë në axhendën e tij politike emigracionin.

Urdhri për të dërguar Gardën Kombëtare në Los Angeles pa miratimin e Guvernatorit Gavin Newsom nuk ishte thjesht një tejkalim i autoritetit. Ishte një veprim i synuar në një fushëbetejë politike që Trump e kishte zgjedhur prej kohësh.

Siç shkruan New York Times, arsyeja për këtë ishin protestat që shpërthyen pas një operacioni masiv deportimi të emigrantëve në Los Angeles. Edhe pse autoritetet lokale nuk kërkuan ndihmë, Trump u duk i gatshëm për shfaqjen. 

Ai foli për një pushtim i përshkroi protestuesit si rebelë, premtoi se kushdo që pështyn mbi ushtarët do të paguajë shtrenjtë” dhe la të hapur mundësinë e thirrjes së Aktit të Kryengritjes. Steven Miller, një nga këshilltarët e tij më të ngushtë, e tha qartë: “Kjo është një luftë për shpëtimin e qytetërimit”.

“Garda Kombëtare u dërgua, fotot u ngarkuan, videot u publikuan, flamuj meksikanë dhe të El Salvadorit, pamje tensioni, disa minuta dhunë midis shumë demonstratave paqësore. Gjithçka u përdor për të ndërtuar narrativën e pushtimit. Qëllimi: të bindte bazën e tij se Amerika është nën kërcënim dhe vetëm një udhëheqës i fortë mund ta shpëtojë atë,” shkruan Nwe York Times. 

Guvernatori i Kalifornisë nuk u habit.

“E prisnim këtë, ishim të përgatitur”, tha Newsom për New York Times.

Ai akuzoi administratën se po kërkonte të destabilizonte shtetin e tij dhe i dërgoi një letër Departamentit të Mbrojtjes, duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të Gardës Kombëtare.

“Që ata të kenë sukses, Kalifornia duhet të dështojë”, tha ai.

Kalifornia si shënjestër/ Strategjia e ndëshkimit

Ky konflikt nuk është i izoluar. Trump e ka shënjestruar vazhdimisht Kaliforninë kohët e fundit ai kërcënoi të shkurtojë fondet për shkak të pjesëmarrjes së një atleti transgjinor në ngjarje shkollore, ndërsa ngriu 4 miliardë dollarë fonde për projekte hekurudhore.

Megjithatë, për Shtëpinë e Bardhë, narrativa është e qartë.

“Qytetet dhe institucionet e drejtuara nga demokratët po e dështojnë popullin amerikan. Presidenti ndërmerr veprime kur ata refuzojnë,” tha zëdhënësja Abigail Jackson./New York Times