KUPA E SHQIPERISE/ Sot Dinamo Egnatia në finale

Për të tretin vit radhazi, Egnatia e Rrogozhinës luan në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku pasditen e sotme përballet me Dinamon në Elbasan.

Skuadra rrogozhinase ka arritur të fitojë trofeun në dy sezonet e fundit dhe synon ta bëjë tris suksesin në këtë kompeticion. Nga ana tjetër, Dinamo rikthehet në një finale kupe pas një periudhe të gjatë mungese. Trofeun e fundit në këtë kompeticion, kryeqytetasit e fituan në vitin 2003, kur mposhtën Teutën me rezultatin 1-0.

Historiku i trofeve flet qartë për dominimin e Dinamos, që numëron plot 13 Kupa të Shqipërisë, krahasuar me vetëm dy të fituara nga Egnatia. Megjithatë, për formën e treguar dhe përvojën e fundit në finale, Egnatia konsiderohet sërish favorite për këtë përballje.

Tifozët pritet të jenë të shumtë në Elbasan, në një mbrëmje ku do të kurorëzohet fituesi i edicionit të këtij viti të Kupës së Shqipërisë.