E RENDE NE JAPONI/ Makina përplas qëllimisht nxënësit, arrestohet i dyshuari 28-vjeçar

Policia japoneze ka arrestuar një 28-vjeçar nën dyshimin për tentativë vrasjeje, pasi ai përplasi qëllimisht me makinën e tij një grup nxënësish shkolle në një rrugë banimi në qytetin e Osakës, duke plagosur shtatë fëmijë, raportojnë mediat vendase.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 me orën lokale, teksa nxënësit po ktheheshin në shtëpi. Një vajzë shtatëvjeçare pësoi një nofull të thyer, ndërsa fëmijët e tjerë, të moshës 7 dhe 8 vjeç, kanë marrë lëndime më të lehta. Të gjithë fëmijët ishin të vetëdijshëm kur u dërguan në spital.

I dyshuari, Yuki Yazaëa, një burrë i papunë nga Tokio, u ndalua në vendngjarje. Sipas transmetuesit publik NHK, ai i tha policisë: “Isha i lodhur nga gjithçka, kështu që vendosa t’i përplasja me makinë nxënësit e shkollës fillore për t’i vrarë.”

Dëshmitarët përshkruan një skenë rrëqethëse, ku makina, një SUV i bardhë  u drejtua në mënyrë të çrregullt drejt fëmijëve. Një nënë, dëshmitare e ngjarjes, tha se “shoferi dukej i hutuar”, ndërsa shpjegon se fëmija i saj ishte tronditur dhe i frikësuar.

Policia po heton motivet dhe gjendjen mendore të të dyshuarit, ndërsa SUV-ja që u përdor në ngjarje është sekuestruar për hetime të mëtejshme.