Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kreut të VV’së, Albin Kurti për takim nesër, për të diskutuar lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Krasniqi përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka kërkuar nga Kurti që të gjejë një kandidat të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve.
“Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”.
Ndërsa, Krasniqi thekson se për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar.
“Natyrisht, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë”, potencon Krasniqi.
Theksojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.
Ata kanë deklaruar se zgjedhja e Kryetarit të Parlamentit është çështje politike, por nuk duan të përfshihen në ndonjë marrëveshje, ndërsa për postin e nënkryetarit që u takon, nuk negociojnë, pasi e konsiderojnë të drejtë legjitime të subjektit të tyre.
Kurti ka ftuar takimin me dy liderët për të enjten në orën 08:30. Ndërkohë, mbledhja e nëntë e seancës konstituive pritet të fillojë në ora 10:00.
Postimi i Krasniqit:
Sot kam pranuar një letër nga Kryetari i koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, z. Albin Kurti, me ftesë për një takim para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që mbahet nesër.
Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim.
Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale.
Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.
Natyrisht, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë.
Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.
Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media.









