Instituti i Vjenës pret që rritja ekonomike e Shqipërisë këtë vit të jetë 3.7%. Në raportin e fundit, vlerësohet se tarifat e shpallura nga Trump, nuk do të ndikojnë në ecurinë e ekonomisë tonë.
Shqipëria dhe do te ruaje ritmin e parashikuar të rritjes ekonomike gjatë vitit 2025, edhe pse në tregun global janë krijuar pasiguri nga tarifat tregtare.
Konkluzioni del në raportin e fundit të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, i cili pret që ekonomia të zgjerohet 3.7% kete vit.
Nje projeksion i ngjashëm del edhe për rajonin, ku të gjitha vendet pritet të zgjerojnë ekonomitë me një mesatare prej 3% në 2025 dhe 3.6% në 2026.
Raporti që mbulon 23 vende nga Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore thekson se shumica e ekonomive të rajonit, përfshirë edhe ato anëtare të BE-së, do të ruajnë një rritje të qëndrueshme gjatë vitit 2025, edhe pse eurozona përballet me sfida të mëdha.
Për vendet e Unionit, analistët parashikojnë një rritje mesatare prej 2.5% për vitin 2025 dhe në vitin 2026, një përmirësim të lehtë në 2.8%.
“Efektet negative të tarifave të Trump do të zbuten në masë të madhe vitin e ardhshëm falë kthesës së politikës fiskale gjermane dhe paketës prej 500 miliardë euro për mbrojtjen, infrastrukturën dhe klimën,” parashikojnë drejtuesit e Institutit në Vjenë.









