Finalja mes Tiranës dhe Pogradecit do të jetë ajo që do të vendosë se cila nga këto dy skuadra do të jetë pjesë e Superligës për sezonin 2025-2026.
Tirana arriti të mbyllë sezonin në vendin e tetë të elitës, duke i shpëtuar rënies dhe duke përfunduar në play-out.
Nga ana tjetër, Pogradeci, që në sezonin e rregullt të Kategorisë së Parë u rendit në vendin e pestë, ka bërë një rrugë të shkëlqyer në play-out, duke mposhtur Burrelin dhe më pas Besën, për të synuar një surprizë të madhe në ndeshje ne fundit me Tiranën.
Ndeshja është parashikuar të luhet më 4 maj, një datë që përkon me zhvillimin e një prej gjysmëfinaleve të Final Four-it të kampionatit.
Kjo ka shkaktuar një pengesë për bardheblutë, pasi fusha e stadiumit të tyre është e zënë dhe për këtë arsye, Tirana do të detyrohet të gjejë një stadium tjetër për të pritur Pogradecin.
Një rënie e mundshme në Kategorinë e Parë për Tiranën, për herë të dytë në histori, do të ishte një dështim tjetër i madh për klubin, i cili ka aspirata të mëdha për të mbetur në elitën e futbollit shqiptar.
Në anën tjetër, për Pogradecin ky është një sukses i jashtëzakonshëm dhe kalimi në Superligë do të ishte një arritje e madhe për klubin dhe tifozët e tij.
Nga ana tjetër ëndrra e Besës për t’u rikthyer në Superligë u mbyll pavarësisht pritshmërive të mëdha të këtij sezoni në Kategorinë e Parë.









