Kreu i ASHM, Sali Berisha, ishte këtë të diel në një takim me fermerët e qarkut të Elbasanit, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha prezantoi programin elektoral dhe theksoi, sipas tij, vështirësitë që ka hasur sektori i bujqësisë dhe blegtorisë gjatë drejtimit të kryeministrit Edi Rama në 12 vitet e fundit.
Berisha u shpreh se qeveria ishte shkatërrimtare për fermerët, pasi sipas tij, faktorë të rëndësishëm ishin hapja e kufijve për prodhimet e Serbisë dhe Maqedonisë.
“Ne, vijmë në këtë takim me ju pasi në 12 vitet e fundit, fermat tuaja, prodhimet tuaja dhe mundi juaj kanë kaluar përmes vështirësish të mëdha, humbjesh të ndjeshme dhe rrokullisjesh serioze. Sot, sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, që është një sektor bazë në të cilin punësohen rreth gjysmë milioni shqiptarë, është pothuajse krejtësisht i braktisur nga kjo qeveri. Me politikën që ndoqi kjo qeveri, ajo ishte shkatërruese. Hapi kufijtë dhe doganat për prodhimet e Serbisë dhe Maqedonisë, ndërsa fermerët atje subvencionohen nga 5 deri në 8 herë më shumë se ju. Emigrantët këtë vit votojnë për herë të parë dhe ata do t’i japin vendit të tyre mbështetje historike me votën e tyre. Së bashku me ju, do ta ndajnë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe”, tha Berisha.









