ZGJEDHJET E 11 MAJIT/ Edhe politikanët e arrestuar nga SPAK votojnë; Nga 313-ta në Durrës dhe Fier; ja ku do ta shkundin votën…

Zgjedhjet e 11 Majit janë në prag dhe ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë në listat e kandidatëve për deputetë do të mungojnë disa politikanë të rëndësishëm, kryesisht nga kampi socialist të cilët ndodhen pas hekurave.

Newsbomb.al ka bërë një verifikim të tyre në regjistrin e platformës qeveritare “e-Albania”, ku regjistrohen të gjithë votuesit dhe disa nga këta politikanë rezulton se e kanë përditësuar qendrën e tyre të votimit, duke zgjedhur qelitë e burgut.

Konkretisht, kryebashkiaku Erion Veliaj rezultoin se është regjistrtuar si banues në Durrës dhe qendra e tij e votimit në 11 Maj do të jetë IEVP Durrës, pra në qelitë e paraburgimit. (Shiko galerinë në fund të artikullit).

Ish-ministri Lefter Koka do të votojë gjithashtu nga qelitë e paraburgimit në qytetin bregdetar, pasi ndodhet prej vitesh i arrestuar dhe i dënuar për inceneratorët. Të njëjtën adresë vendvotimi ka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.

Ai ndodhet po ashtu në qelitë e Durrësit, me Lefter Kokën, sepse të dy janë dënuar për të njëjtin fakt penal, por Alqi Bllako është shpallur fajtor për kohën kur mbante postin e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe shef kishte Lefter Kokën.

Ish-deputeti socialist i Durrësit dhe Shijakut, Jurgis Çyrbja do të votojë gjithashtu nga qelitë e paraburgimit të qytetit bregdetar. Ai ndodhet prej disa muajsh në qeli, ashtu si gjithë ish-kolegët, i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për disa vepra penale.

Ndërkohë, Presidenti i Partisë së Lirisë dhe njëherësh ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta do të votojë nga ambientet e Burgut 313 në Tiranë. Menjëherë pas arrestimit, ai kërkoi të mos transferohej në Durrës por të qëndronte te “313-ta”, me pretendimin se donte të ishte pranë fëmijëve.

Në të njëjtin ambient me Ilir Metën do të votojë dhe kundërshtari i tij politik, ish-kryebashkiaku socialist i Himarës. Jorgo Goro ndodhet pas hekurave i akuzuar nga SPAK se ka firmosur tjetërsimin e mijëra m2 tokë në zonën e Himarës, në favor të bashkëshortit të Olta Xhaçkës.

Edhe Ervin Salianji do të votojë nga burgu. Ish-deputeti demokrat që pretendon se është i burgosuri i parë politik në Shqipërinë demokratike, është regjistruar në “e-Albania” për të votuar nga qelitë e Burgut të Fierit, i cili është nën juridiksionin e Bashkisë Patos.

Nga një kërkim në platformën qeveritare, ish-ministri socialist Ilir Beqaj nuk rezulton që të jetë regjistruar për të votuar. Siç duket dhe në fotografinë në galerinë në fund të lajmit, platforma nuk gjeneron përmbajtje me të dhënat e tij.

Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici rezulton sipas “e-Albania” se do të votojë në Tiranë pranë shkollës së Mesme Ekonomike, ndërkohë që ndodhet në qelitë e Durrësit. Vendvotimi i tij duhet të ishte në Kukës ku ai ishte kryebashkiak, ose në Durrës ku vuan dënimin, si të tjerët.