GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu e cila kërkoi lirimin nga burgu. Bëhet me dije se Fetahu kishte paraqitur kërkesën më 27 janar 2025, duke kërkuar zëvendësimin e masës së sigurimit. Nëntorin e kaluar kjo masë sigurie “arrest me burg”, u caktua ndaj ish-gjyqtares si përfshirë në dosjen e Suel Çelës dhe u prangos gjatë operacionit që goditi një organizatë kriminale të dyshuar si të drejtuar nga ai.
Kërkuesi Pajtime Fetah me datë 27.01.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimi i masës së sigurimit, urdhëruar me vendimin nr. 138 datë 22.11.2025 dhe nr. 146 datë 27.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 230/2, 238 dhe 260/2 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 89, datë 01.04.2025, vendosi:
Rrëzimin e kërkesës së kërkueses (personit nën hetim) Pajtime Fetah.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 5 ditëve, afat i cili fillon nga dita e njoftimit të vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 01.04.2025
Operacioni i SPAK
Në fund të vitit 2024 SPAK goditi organizatën kriminale të Suel Çelës, duke lëshuar 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në krimin e organizuar, ish-zyrtarë të drejtësisë, policisë, si dhe 2 gazetarë. Prokuroria e Posaçme tha se arriti të zbulonte dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas SPAK me paratë e fituara nga trafiku, banda e Çelës ka financuar ndër vite eliminimin e kundërshtarëve në qytetin e Elbasanit. Për realizimin e qëllimeve të veta kundër kundërshtarëve të tyre, apo edhe për të krijuar mbrojtje për vete, organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të drejtësisë, policisë dhe medias.
Organizata kriminale, nga hetimet e përbashkëta të kryera mes SPAK, Belgjikës, Francës dhe Ekuadorit, tregoi se paratë përdoreshin për financimin e blerjes së kokainës, silleshin kesh në Shqipëri dhe investoheshin në biznese në dukje të rregullta.









