Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, ku në fokus ka qenëfundi i luftës në Ukrainë.
“Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman, riafirmoi “përkushtimin e Arabisë Saudite për të lehtësuar dialogun dhe për të mbështetur të gjitha nismat që synojnë arritjen e një zgjidhjeje politike”, tha Ministria e Jashtme saudite, pasi bin Salman zhvilloi një bisedë telefonike me Putinin.
Edhe Kremlini, në një deklaratë zyrtare, theksoi se gjatë bisedës telefonike me princin saudit të kurorës, presidenti Putin është shprehur i gatishëm që të vazhdojë të kontribuojë në çdo mënyrë të mundshme për të normalizuar raportet ruso-amerikane.
Kjo bisedë vjen në një kohë kur Ukraina ka pranuar një plan të Shteteve të Bashkuara për një armëpushim 30-ditor.
Ndërsa presidenti i Rusisë Vladimir Putin, mbrëmjen e së enjtes, më 13 mars, deklaroi se është dakord në parim me këtë propozim, por shtoi se ka hollësi të cilat duhet të zgjidhen, si për shembull furnizimi i Kievit me armë perëndimore.
Pas pranimit të propozimit amerikan nga Ukraina, Uashingtoni rinisi dërgimin e armëve për Kievin dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën, që u pezulluan pas përplasjes që pati presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, me atë amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pas bisedimeve në Xhedah deklaroi se “tani topi është në fushën e Rusisë”.
Arabia Saudite ka qenë mikpritëse e bisedimeve mes Rubios dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov, muajin e kaluar, takim në të cilin zyrtarët u pajtuan për të krijuar ekipe për të negociuar për rrugën drejt përfundimit të luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës tre vjet më parë.









