VENDIMI/ Gjykata Kushtetuese e Rumanisë i ndalon kandidimin për në presidencë Calin Georgescu

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka refuzuar apelin e politikanit të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, duke konfirmuar vendimin që e ndalon atë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të majit. Vendimi përfundimtar u shpall të martën pasdite, pas dy orësh shqyrtim.

Jashtë gjykatës në Bukuresht, një turmë mbështetësish reagoi me thirrje kundër vendimit, duke e cilësuar atë të padrejtë.

Më herët, Byroja Qendrore Zgjedhore kishte refuzuar kandidaturën e Georgescu, duke argumentuar se ai nuk përmbushte kushtet ligjore. Politika e tij ishte vënë në pikëpyetje pas zbulimeve të inteligjencës rumune, e cila raportoi ndërhyrje ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar përmes 800 llogarive në TikTok që e mbështesnin.

Pavarësisht apelit të bërë të hënën, gjykata ka vulosur tashmë vendimin përfundimtar, duke i mbyllur rrugën Georgescu për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të majit.