Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka reaguar me anë të një statusi në platformën X ku është shprehur se veprimet e presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik, po minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj.
Dodik nënshkroi dekrete që ndalojnë ligjërisht punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe të Agjencisë Shtetërore të Hetimit në territorin e këtij subjekti. Më 26 shkurt, Dodik u dënua nga Gjykata e Bosnjës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim nga ushtrimi i detyrës për moszbatim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.
“Veprimet e Presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik, po minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj. Kombi ynë inkurajon liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”,-shkruan Rubio.
Më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës vendosi masë të përkohshme dhe ndaloi zbatimin e këtyre ligjeve të entitetit serb.
Gjykata, Prokuroria e Bosnjës dhe SIPA janë formuar në bazë të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Bosnje dhe Hercegovinës dhe ato ligje janë konfirmuar nga Dhoma shtetërore e Popullit. Për t’u zhbërë, sipas Kushtetutës së shtetit, duhet që votimi i Kuvendit të Bosnje e Hercegovinës.
Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi ligjet më 27 shkurt, pasi Gjykata e Bosnjës e dënoi Dodikun me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit të RS-së për gjashtë vjet.
Sistemi i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë vend me rreth 3.1 milionë banorë është ndër më të ndërlikuarit në botë.
Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.
Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës njoftoi se ka muaj që po zhvillon një hetim për shkak të dyshimeve se është kryer vepra penale “sulm ndaj rendit kushtetues”.
Kodi Penal i Bosnjës parashikon dënime deri në pesë vjet burgim dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare nëse dikush “përpiqet në mënyrë të kundërligjshme të ndryshojë rendin kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës ose të përmbysë institucionet e saj më të larta”.
Dodik është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e shkallës së parë për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, dhe nënshkrimit të dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidt paraprakisht i kishte shpallur të pavlefshme, ligje që synonin të parandalonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të Lartë në territorin e RS-së.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjës vendosi masë të përkohshme për moszbatimin e Ligjit për regjistrin e veçantë dhe transparencën e punës të organizatave jofitimprurëse. Kërkesa u dorëzua nga Kemal Ademoviq, nënkryetar i Dhomës së Popullit të Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës.
Ky ligj, i miratuar nga Kuvendi i RS-së, në përputhje me ligjin rus, vendos kontroll të rreptë mbi veprimtarinë e sektorit civil në RS.









