Manchester City ka mposhtur Arsenalin me rezultat 2-1 në “Etihad Stadium”, në një përballje direkte që ka ndezur edhe më shumë garën për titull në kampionat.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ku City ishte pranë golit që në minutën e 4-t, kur Rayan Cherki goditi shtyllën. Megjithatë, po i njëjti lojtar zhbllokoi sfidën në minutën e 16-të me një aksion individual të bukur për 1-0.

Arsenali reagoi menjëherë dhe barazoi vetëm dy minuta më vonë, pasi një gabim i portierit Gianluigi Donnarumma i dha mundësinë Kai Havertz të shënonte nga afërsia për 1-1.

Në pjesën e dytë, të dy skuadrat krijuan raste të shumta. Erling Haaland goditi shtyllën në minutën e 49-të, ndërsa Arsenali iu afrua golit të avantazhit me Eberechi Eze dhe Gabriel, por pa sukses.

Goli vendimtar erdhi në minutën e 65-të, kur Haaland realizoi nga brenda zonës për 2-1, duke i dhënë City-t tre pikë shumë të rëndësishme.

Me këtë fitore, Manchester City i afrohet kreut dhe e mban të hapur plotësisht garën për titull, me diferencën mes rivalëve që mbetet minimale në javët vendimtare të sezonit.